Kreu Pikante Letra seksuale që po trondit Shtëpinë e Bardhë të Trump

Letra seksuale që po trondit Shtëpinë e Bardhë të Trump

Një letër e papritur dhe me përmbajtje eksplicite, e shkruar kinse nga vetë Donald Trump për ditëlindjen e 50-të të Jeffrey Epstein, po ngre stuhi politike dhe mediatike në SHBA. Skandali i ri, i zbuluar fillimisht nga Wall Street Journal, po rihap plagët e vjetra të lidhjeve të ish-presidentit me miliarderin e ndjerë dhe të dënuarin për abuzime seksuale me të mitura, Jeffrey Epstein.

Sipas raportit të WSJ, Ghislaine Maxwell – bashkëpunëtorja e famshme e Epstein – u kishte kërkuar disa figurave të njohura të kontribuonin me letra urimi për një album të personalizuar për ditëlindjen e Epstein në vitin 2003. Ndër to, një letër e supozuar e nënshkruar nga Donald Trump përmbante një vizatim të një gruaje nudo dhe një dialog të imagjinuar midis tij dhe Epstein. Në tekstin e letrës, dy miqtë e dikurshëm reflektojnë për “një sekret të përbashkët” dhe “si ka më shumë në jetë sesa thjesht të kesh gjithçka.” Letra mbyllet me fjalët: “Gëzuar ditëlindjen – dhe uroj që çdo ditë të jetë një tjetër sekret i mrekullueshëm.”

Por Trump ka reaguar ashpër. Në një intervistë për vetë Wall Street Journal, ai tha:
“Kjo nuk është shkruar nga unë. Është një mashtrim. Një histori e fabrikuar nga Wall Street Journal. Nuk kam vizatuar kurrë në jetë – aq më pak gra të zhveshura.”

Trump ka ndërmarrë edhe veprime ligjore: ai ka paditur për shpifje gazetën dhe gazetarët që qëndrojnë pas këtij investigimi. Në rrjetet sociale ai u shpreh: “Këto nuk janë fjalët e mia, nuk është mënyra si unë flas. As vizatime nuk bëj.”

Megjithatë, faktet e mëparshme e bëjnë të vështirë për Trump që të shkundë këtë histori nga vetja. Ai ka pasur miqësi të hershme me Epstein – të dokumentuara me foto, fluturime me avion privat dhe festa ekskluzive në Mar-a-Lago. Madje, në një intervistë për New York Magazine në vitin 2002, Trump ёshtё shprehur: “Jeffrey është një djalë fantastik. I pëlqejnë gratë e bukura po aq sa mua – shumë prej tyre janë tё reja.”

Vetë Trump ka pohuar se ka pasur një “përplasje” me Epstein në vitin 2004, e cila i ka ndarë përfundimisht. Sipas burimeve nga Washington Post, zënka lidhej me një pronë në Palm Beach, për të cilën të dy ishin në garë. Ai ka deklaruar gjithashtu se e ka përjashtuar Epstein nga Mar-a-Lago pasi ky i fundit kishte ngacmuar një punonjëse të re.

Por rikthimi i emrit të tij në skenën Epstein, përmes kësaj letre me përmbajtje erotike dhe të koduar, ka tronditur opinionin publik dhe ka ndezur sërish kërkesat për transparencë lidhur me dosjet e fshehura të Epstein – për të cilat Trump ka bërë pak ose aspak përpjekje për t’i deklasifikuar gjatë presidencës së tij.

Ajo qё dihet deri tani, sipas raportimeve në mediat më prestigjioze ndërkombëtare si CNN, Washington Post, New York Times dhe Wall Street Journal, ёshtё se emri i Donald Trump rezulton në regjistrat e fluturimeve të avionëve privatë të Epstein, dhe në adresarin personal të miliarderit të ndjerë figurojnë 14 numra telefoni që lidhen me Trump, bashkëshorten e tij Melania dhe pjesëtarë të stafit të tij të ngushtë. Gjatë një kontrolli në vilën e Epstein në Palm Beach, autoritetet gjetën mesazhe të shkruara ku përmendej vetë Trump. Në vitin 1992, një event privat në resortin Mar-a-Lago, ku u ftuan mbi 20 modele, kishte vetëm dy të ftuar meshkuj: Jeffrey Epstein dhe Donald Trump. Imazhi i femrës si objekt dëshire dhe pushteti ishte i pranishëm që atëherë, në një skenar që sot ngjan shqetësues.

Të gjitha këto episode, që dikur mund të ishin parë si thashetheme periferike, sot po marrin njё formë tё turbull qё rrezikon të përthithë edhe figurën e presidentit. Dalja në dritë e kësaj letre me përmbajtje seksuale, në një kontekst të errët miqësie me një njeri si Epstein, vetëm sa ka hedhur benzinë mbi një zjarr që nuk është shuar kurrë plotësisht. Dhe ndërsa Trump përpiqet të hedhë poshtë çdo lidhje, çdo vizatim, çdo kujtim, hija e së shkuarës po bëhet gjithnjë e më e fortë.