Kreu Sport Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk ulet në piedestalin e historisë

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk ulet në piedestalin e historisë

Boksieri 38-vjeçar, ukrainasi Oleksandr Usyk, mposhti në stadiumin mitik “Wembley” në Londër anglezin 28-vjeçar Daniel Dubois, duke fituar të gjithë titujt botërorë për peshat e rënda.

Usyk shpallet kampion absolut dhe çon në Ukrainë të gjithë rripat në fuqi të boksit të peshës maksimale: WBC, WBA, WBO dhe IBF, pas fitoreve të tij të njëpasnjëshme kundër Tyson Fury, Anthony Joshua dhe së fundi Daniel Dubois, të cilët pësuan humbje të dyfishta ndaj tij.

Me këtë fitore “knockout” në raundin e pestë, Usyk bëhet kampion i padiskutueshëm në dy kategori peshash — pesha e para të rëndave dhe pesha e rëndë, duke u bërë boksieri i parë mashkull në histori, i cili bëhet tre herë kampion i padiskutueshëm në “epokën me katër rripa”.

Oleksandr Usyk, ish-kampion olimpik në boks, futet në histori edhe për rezultatet e tij në boksin profesionist botëror me 24 fitore, asnjë humbje, 15 fitore me knockout.

Ndeshja kundër boksierit anglez Daniel Dubois kishte një pritshmëri të madhe nga publiku londinez, që mbushi me 90 000 vende stadiumin “Wembley” dhe priste një fitore të patriotit të tyre. Kjo, për shkak të një ndeshjeje të mëparshme që dy boksierët e zhvilluan në Wrocław të Polonisë më 26 gusht 2023, për të cilën pati polemika rreth raundit të pestë, kur Usyk u rrëzua në tapet pas një grushti nga Dubois që u gjykua se ishte poshtë mesit, goditje e ulët. Megjithë polemikat, Usyk e fitoi me knockout në raundin e nëntë edhe atë ndeshje, për të cilën diskutimet u mbyllën natën e mbrëmshme, kur fitorja e ukrainasit nuk pati asnjë diskutim, por u admirua nga të gjithë, duke e konsideruar fitore fenomenale.

Çmimi i vendosur për këtë ndeshje boksi raportohet të ishte 203 milionë dollarë, nga të cilat Usyk përfitoi 126 milionë dollarë. Kjo fitore me unifikim titujsh e rripash të peshave të rënda nuk ndodhte që nga viti 1999, kur Lennox Lewis, një tjetër boksier anglez, e mbante këtë trofe unifikues.

Usyk, i lindur në Simferopol të Krimesë, jeton në Kiev të Ukrainës, është i martuar dhe ka katër fëmijë. Me nofkën sportive “Macja” apo “Lepuri i Bardhë”, Usyk është bërë një sportist i dashur në mbarë botën për sjelljen e tij shumë të thjeshtë dhe modelin e besimtarit e familjarit të devotshëm. Patriotizmi i theksuar i Usyk shihet me shumë respekt nga të gjithë, kur ai i dedikon fitoret e tij për popullin dhe luftëtarët e Ukrainës.