Kreu Rreth Globit 30 vjet, 0 valixhe të humbura – leksioni që Japonia i jep...

30 vjet, 0 valixhe të humbura – leksioni që Japonia i jep botës

Në një botë ku humbja e bagazheve është bërë një ritual aq i zakonshëm sa që shumë pasagjerë e nisin fluturimin me frikën e një veshjeje rezervë në çantë dore, Japonia ka thyer çdo pritshmëri.

Kansai International Airport, që ndodhet mbi ujë, në Osaka, sapo ka mbushur 30 vjet pa humbur asnjë valixhe. Që nga dita kur u hap në vitin 1994, ky aeroport ka përpunuar më shumë se 100 milionë bagazhe, dhe çdo njëra prej tyre ka shkuar në destinacionin e duhur. Jo gabim, jo vonë, jo ndërrim etikete. Thjesht… përpikmëri!

Si e bëjnë? Jo me teknologji jashtëtokësore, por me sistem, kulturë dhe respekt për detajin. Çdo bagazh kontrollohet nga dy ose tre punonjës, secila kompani ajrore ka manualin e saj të veçantë për trajtimin e valixheve, dhe ekziston një rregull i hekurt: brenda 15 minutash nga ulja e avionit, çdo valixhe duhet të jetë në zinxhirin shpërndarës.

Dhe jo vetëm kaq. Dorezat e valixheve rreshtohen në të njëjtin drejtim, që udhëtarët të mos lodhen kur e tërheqin. Po, edhe ky detaj është pjesë e sistemit.

Kjo nuk është vetëm organizim logjistik – është filozofi japoneze. Një mënyrë të menduari ku asgjë nuk është e vogël nëse preket nga dora e njeriut.

Dhe nëse aeroportet e tjera të botës e shohin këtë si “tepër të mirë për të qenë e vërtetë”, ndoshta është koha të kuptojnë se respekti për pasagjerin nuk nis vetëm në bord – por që sa shkel në aeroport.