Pak histori…
Bajraku njihet në periudhën e pushtimit osman, si njësi administrativo-ushtarake. Por Bajraku, ka ekzistuar edhe para pushtimit Osman. Ai përfshinte disa fshatra e zona të afërta me njëra-tjetrën gjeografikisht ose ekonomikisht.
Bajraku drejtohej nga bajraktari, i cili në atë periudhë zgjidhej nga vetë banorët, por zakonisht zgjidhej një person që ishte dalluar në luftë, apo edhe nga familje të dalluara në luftëra, por që aprovohej nga organet administrative osmane. Fjala bajraktar, vjen nga turqishtja që do të thotë flamurmbajtës apo flamurtar, dhe si rregull, në luftë ai mbante flamurin dhe ishte në krye të luftëtarëve…
Në Malësi të Madhe njihen 11 bajrakë: i Hotit, i Grudës, i Kelmendit, i Kastratit, i Shkrelit, i Koplikut, i Lohës, i Reçit, i Rrjollit, i Grizhës dhe Buzë Ujit, ku bajrak i parë ka qenë ai i Hotit.
Të 11 bajrakët, janë të lidhur gjeografikisht, ekonomikisht, me zakone e tradita të njëjta, me kostume të njëjta (xhubletën legjendare), me këngë e valle, rite, legjenda e tregime, me miqësi, kumbari e probatini, madje edhe me një kryebajraktar për gjithë Malësinë e Madhe, dhe që sot, janë të bashkuar në një bashki, me qendër Koplikun.
Pavarësisht se çfarë është thënë e shkruar, bajraktarët e Malësisë së Madhe nuk kanë qenë nga familjet më të pasura. Përkundrazi, ata kanë jetuar e punuar si gjithë malësorët e tjerë, pa privilegje. Madje, disa prej tyre kanë qenë nën nivelin ekonomik të bashkëfshatarëve të tyre. Ka pasur prej atyre që as bukën për shtëpinë e vet nuk e prodhonin. Duket e pabesueshme, por për shembull bajraktari i Grudës, jetonte në një shtëpi përdhese…
Një fakt interesant që flet shumë për marrëdhëniet midis malësorëve, që pavarësisht nga përkatësia fetare (Malësia e Madhe popullohet nga katolikë e myslimanë) kanë qenë shumë të mira. Lidhjet me kumbari, midis familjeve të dy feve, kanë qenë më të shumta se ato brenda një feje.
Bajraktari sipas traditës nuk kishte asnjë të drejtë ekonomike mbi banorët e bajrakut të tij. Malësia e Madhe nuk ka qenë çiflig i askujt. Malësori ka qenë vet zot i kullës së tij, i tokës, i bagëtive të tij, që ka zbatuar normat kanunore të vendosura nga vetë popullsia e kësaj krahine, madje shumë më përpara kanuneve dhe ligjeve që i atribuohen Lekë Dukagjinit e që janë vepër e banorëve të kësaj krahine dhe që kanë ndryshuar herë mbas here, në përputhje me kushtet e krijuara.
Bajraktari ishte i detyruar të zbatonte deri më një të gjitha rregullat e Kanunit si të gjithë malësorët e tjerë.
Pse u mblodh “Kuvendi i Thethit”?

Të ulur këmbëkryq para Kishës së Thethit, Kuvendi i Burrave u mblodh këtë të diel ashtu si dhe dikur, për t’i kërkuar shtetit që të ndalojë aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Në ditën e 7-të të aksionit shtetëror për prishjen e mbi 100 ndërtimeve pa leje në Theth, burrat e “Kuvendit të Thethit” u mblodhën për të kuvenduar lidhur mbi “përballjen” me shtetin. Aty u dëgjuan shprehje të 100 viteve më parë si: “Kullat i kemi mbrojtur me gjak!”.
Zef Sokol Vladaj që është dhe nipi i bajraktarit të Shalës, Kolë Ndue Prela (Vladaj), u vendos para “përgjegjësisë” së vjetër që ka familja për të prirë e mbrojtur malësorët e Thethit.
Sipas historisë së zonës, në 11 breza familja nga rrjedh Zefi i kanë prirë Shalës si bajraktarë.
Në një prononcim të tij për media ai thotë: “Më është dukur si serbi në Kosovë!” dhe paralajmëron: “Do thërras diasporën në protesta, janë gati të vijnë të gjithë!”
Zef Vladaj, i bën thirrje qeverisë për dialog dhe të mos vazhdojë më me shembjet.
“Unë nuk kam kërkuar për t’u përplasur me shtetin. Të bashkëbisedojmë, e jo të bëhet një gjë e tillë. E kujt ia rrëzojmë shtëpinë, vëllaut.
Në Dukagjin e jo në Dukagjin, por unë kam nga katër anët e Shqipërisë. Edhe në Kosovë, edhe në Bruksel, ton diaspora. Më kanë bërë mesazhe dhe më thanë jemi gati me ardh. Unë popullin tim do ta mbroj, me të drejtë, nuk e kam fjalën mos me zbatu ligjin. Do t’i bëj thirrje kryeministrit, qeverisë vendore. Atij kryetarit të bashkisë. E kujt ia shembe shtëpitë, o Benet Beci, vëllaut. Kurrë nuk është dashur me e bo një gjë të tillë.
Nëse nuk i largoni. Nëse nuk hiqni dorë, unë do të njoftoj diasporën, do të njoftoj Dukagjinin, Pukën, Kukësin, Malësinë e Madhe në katër anët. Ka për t’i pas këtu në Theth, para Bashkisë e kudo. Mos guxo me ardhë, me shfrytëzuar rastin, as me Thethin, as me Dukagjinin”, tha ai.
Nuk ka asgjë të qartë për si do të vazhdojë “lufta” e shtetit kundër ndërtimeve të banorëve të Thethit dhe cila do të jetë zgjidhja. A do të shkohet në lëvizje kanunore nga ana e malësorëve të zonës së Shalës, apo shteti do të gjejë një zgjidhje pa polici, fadroma dhe kallashnikovë?