Kreu Drejtësi Riorganizimi më i madh diplomatik në dekada- Rubio largon 1 300 punonjës nga...

Riorganizimi më i madh diplomatik në dekada- Rubio largon 1 300 punonjës nga DASH

Në një prej lëvizjeve më të papritura dhe më drastike të administratës Trump në mandatin e dytë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka urdhëruar largimin nga puna të më shumë se 1 300 punonjës të Departamentit të Shtetit. Shkarkimet masive vijnë si pjesë e një riorganizimi të thellë institucional, që zyrtarët e lartë e përshkruajnë si “të domosdoshëm për ta bërë diplomacinë amerikane më të përqendruar, më efikase dhe më kombëtare në prioritetet e saj.”

Lajmi u konfirmua të premten nga burime të shumta brenda DASH-it dhe u pasua me raportime të mediave ndërkombëtare si Reuters, Washington Post dhe The Guardian. Sipas dokumenteve të brendshme, 1 107 zyrtarë të shërbimit civil dhe 246 diplomatë të shërbimit të jashtëm kanë marrë ose do të marrin njoftimin e pushimit nga puna përmes email-it, duke shënuar një prej shkurtimeve më të mëdha të burimeve njerëzore në historinë e diplomacisë amerikane.

Kjo lëvizje u bë e mundur vetëm pak ditë pasi Gjykata e Lartë e SHBA-ve hoqi një ndalim të mëparshëm ligjor që pengonte ndërhyrje të tilla në administratën federale. Vendimi i gjykatës i hapi rrugën planeve të hershme të administratës Trump për të reduktuar burokracinë në agjenci të rëndësishme të politikës së jashtme. Që në fushatën e parë presidenciale, Trump kishte premtuar se do të “shkrinte qindra zyra të panevojshme në DASH”, dhe tani duket se Rubio po e vë në zbatim këtë strategji.

Zyrat që janë prekur më shumë nga shkarkimet janë ato që merren me çështje të të drejtave të njeriut, emigracionit, krizave ndërkombëtare dhe ndihmave humanitare.Burime të brendshme nga DASH kanë pohuar se shumë nga këto departamente do të mbyllen ose do të bashkohen me njësi të tjera, duke sjellë një ndryshim të thellë në mënyrën si Amerika ndërvepron me botën.

Reagimet kanë qenë të forta. Më shumë se 130 ish-diplomatë dhe zyrtarë të lartë të administratave të kaluara, kanë nënshkruar një letër të hapur ku paralajmërojnë se “kjo goditje masive ndaj përvojës institucionale dhe burimeve diplomatike rrezikon sigurinë kombëtare amerikane në një kohë sfidash të mëdha globale.

Nga ana tjetër, Rubio është shprehur se ky është një “hap i guximshëm për të rivendosur përparësitë kombëtare dhe për të ndalur rrjedhjen e buxheteve në sektorë pa ndikim të drejtpërdrejtë në interesin amerikan.

Ndërkohë që vala e shkarkimeve po zgjerohet, vetë Rubio ndodhet jashtë Shteteve të Bashkuara, në një vizitë zyrtare në Azi, me ndalesën e fundit në Malajzi. Lëvizja e tij për të qëndruar larg gjatë një momenti kaq të ndjeshëm është interpretuar nga disa si shmangie e reagimeve publike dhe protestave, të cilat tashmë kanë nisur në Washington para godinës së DASH-it.

Pavarësisht kritikave dhe pasigurive, administrata mbetet e vendosur për të çuar përpara këtë riorganizim të thellë, që pritet të prekë në total deri në 3 000 vende pune gjatë muajve në vijim.

Për shumë analistë, kjo nuk është thjesht një reformë burokratike, por një transformim ideologjik i diplomacisë amerikane – larg përfshirjes globale dhe drejt një fokusi më të ngushtë kombëtar.