Numri i palestinezëve të uritur dhe të vrarë nga forcat izraelite ndërsa mbajnë radhën për të marrë ndihma humanitare, ka tejkaluar 800. Kjo shifër ёshtё dhёnё sipas autoriteteve palestineze, ndërsa kequshqyerja dhe uria vazhdojnë të rriten frikshëm në Rripin e Gazës.
Agjencia e Mbrojtjes Civile të Gazës thotë se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 74 palestinezë vetëm sot, ku 10 prej viktimave ishin duke pritur në radhë, pranë një pike të shpërndarjes së ujit.
Dëshmitarë palestinezë të radhëve të gjata humanitare, tregojnë se ata gjenden si në “kurth” kur presin të rreshtuar për ndihmat. Papritur ata qëllohen nga të gjitha drejtimet nga ushtria e Izraelit, e cila i mohon këto dëshmi.
Lufta e Izraelit kundër Hamas në Gaza, ka shkaktuar të paktën 58,026 viktima mes civilëve dhe ka plagosur 138,520 prej tyre, shifër kjo sipas të dhënave që përcjell Ministria e Shëndetësisë sё Gazës.
Për kujtesë, para fillimit të luftës që ka hyrë në muajin e dhjetë të vitit të dytë, rreth 1,139 izraelitë u vranë nga Hamas gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023, dhe më shumë se 200 u kapën robër.
Shumica e pengjeve të marra nga Hamas, janë liruar, pak ndër ta kanё gjetur vdekjen, ndërsa burimet nga Izraeli thonë se 58 pengje mbeten akoma në Gazë, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre mund të kenë vdekur.
Hamasi dhe Izraeli vazhdojnë negociatat për armëpushim në Gaza, në Doha të Katarit me ndërmjetësimin e arabo- amerikan. Para disa ditësh burimet e të dyja palëve konfirmuan se kanë rënë dakord të lirohen 10 pengje izraelite, ndërkohë që viktimat në radhët humanitare të palestinezëve rriten çdo ditë që kalon e më shumë.