Nga mjekësia tek inteligjenca artificiale, tregu global dhe ai shqiptar po ndryshojnë me ritme marramendëse. Me nisjen e plotësimit të formularëve për universitet, shumë gjimnazistë dhe prindër pyesin: “Cila është dega që ia vlen më shumë sot?”
Ndërkohë që vendimet e maturantëve ndihmohen shpesh nga preferencat personale ose rezultatet e maturës, faktor thelbësot në këtë vendimarrje duhet të jetë perspektiva afatgjatë e punësimit dhe zhvillimit profesional. Bazuar në të dhënat e fundit të publikuara nga LinkedIn, World Economic Forum, si dhe raportet e Agjencisë Kombëtare të Punësimit, këto janë 10 profesionet më të kërkuara në tregun global dhe rajonal në vitin 2025:
1. Inxhinier i Inteligjencës Artificiale (AI)
Profesion që lidhet me të ardhmen dhe është në rritje të vazhdueshme. Kompanitë kërkojnë ekspertë që dinë të ndërtojnë algoritme, sisteme të mësimit të makinerive dhe aplikacione të AI. Kërkesa është veçanërisht e lartë në SHBA, Gjermani, Estoni, por edhe në Shqipëri për startup-et që punojnë me shërbime dixhitale.
2. Mjek dhe Infermier i specializuar
Mjekësia mbetet një nga degët më të sigurta për punësim të brendshëm dhe të jashtëm. Mungesa e mjekëve në Europë, veçanërisht në Gjermani, Francë dhe Itali, e bën këtë profesion ndër më të kërkuarit. E njëjta vlen edhe për infermierinë me njohuri të avancuara klinike.
3. Analist i të Dhënave (Data Analyst / Data Scientist)
Një profesion i ri, por me zhvillim marramendës. Çdo institucion apo biznes i mesëm e i madh bazohet sot te të dhënat. Analistët që dinë të lexojnë, organizojnë dhe interpretojnë informacion janë të pazëvendësueshëm.
4. Inxhinier Software-i / Programues
Nuk është më thjesht “modë”, por një nevojë thelbësore. Programuesit mbeten ndër profesionistët më të paguar dhe më të kërkuar në çdo sektor: bankar, arsimor, tregti, shërbime, shëndetësi.
5. Specialist i Sigurisë Kibernetike
Në një kohë kur sulmet dixhitale po prekin edhe shtete e institucione kritike, roli i ekspertëve të sigurisë është thelbësor. Njohja e sistemeve të mbrojtjes, kriptografisë dhe hetimit dixhital është pasaportë për punë në çdo vend të botës.
6. Menaxher Produkti (Product Manager)
Në kompani teknologjie dhe jo vetëm, roli i menaxherit të produktit është të lidhë klientët, zhvilluesit dhe tregun. Një degë që kërkon aftësi ndërdisiplinore në biznes, teknologji dhe psikologji përdoruesi.
7. Specialist i Marketingut Dixhital
Marketingu klasik ka kaluar në hije. Aftësia për të ndërtuar strategji digjitale, të kuptosh algoritmet e rrjeteve sociale, apo të menaxhosh reklama dixhitale janë kërkesa standarde në tregun e punës tashmë.
8. Psikolog / Psikoterapist
Shëndeti mendor është prioritet i epokës moderne. Me një rritje të ndjeshme të nevojës për shërbime të kujdesit psikologjik, kjo degë është gjithnjë më shumë e pranishme në sistemin shëndetësor dhe në shkolla.
9. Specialist Financiar / Kontabilist i certifikuar
Ekonomia dhe financat janë shtylla të çdo organizate. Një kontabilist i mirë, me njohuri të softuerëve financiarë dhe certifikime si ACCA ose IFRS, gjen punë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë.
10. Mësues i shkencave ekzakte
Matematika, teknologjia, shkencat natyrore – të gjitha kanë mungesë të mësuesve të aftë. Në Europë, ka programe të posaçme për tërheqjen e mësuesve të rinj në këto degë, me mbështetje për trajnime dhe punësim të sigurt.
Një thirrje për maturantët: Zgjidhni me mendje, jo vetëm me zemër!
Ndërsa pasioni është thelbësor për sukses, vendimi për degën universitare duhet të jetë edhe strategjik. Shqipëria është gjithnjë e më e lidhur me tregun europian dhe global. Çdo zgjedhje sot, ndikon drejtëpërdrejt nesër në punësim, dinjitet dhe jetën profesionale.
Shikoni përtej vitit të parë. Informohuni. Konsultohuni. Dhe mbi të gjitha, zgjidhni me vizion…