Në zemër të Alpeve Shqiptare, Thethi është një nga mrekullitë natyrore më të çmuara të vendit. I shpallur park kombëtar, ky fshat malor përfaqëson një trashëgimi të rrallë të natyrës dhe kulturës shqiptare, të lakmuar prej turistëve dhe studiuesve nga mbarë bota. Por ndërhyrja e fundit e autoriteteve për shembjen e ndërtimeve pa leje ka hapur një kapitull të ri të tensionuar dhe të dhimbshëm në jetën e këtij komuniteti.

Aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të çmontuar ndërtimet që kanë mbirë në mënyrë të pakontrolluar në Theth është, në thelb, një përpjekje për të mbrojtur një pasuri që i përket të gjithëve. Por kjo “mbrojtje” është bërë, si shumë herë të tjera në Shqipëri, vetëm pasi dëmi është bërë.
Për vite të tëra, ndërtimet pa leje u toleruan, u injoruan ose u panë me një sy të mbyllur. Bujtina të vogla, kafene dhe ndërtime modeste u rritën përgjatë shtigjeve dhe rrugicave të fshatit, duke i dhënë shumë familjeve shpresën e një jete më të mirë përmes turizmit. Por tani, në mes të sezonit veror, shumë prej këtyre ndërtimeve po shemben me buldozerë, duke shkatërruar jo vetëm muret, por edhe ëndrrat dhe kursimet e atyre që investuan gjithçka.
Pse tani? Dhe pse kështu?

Në një vend ku ligji shpesh zbatohet në mënyrë selektive dhe vonë, ndërhyrja e beftë në Theth duket më shumë si një manifestim force sesa një planifikim i qëndrueshëm për ruajtjen e mjedisit dhe mirëqenien e komunitetit.
Ndërtimet pa leje janë, pa dyshim, një problem i madh dhe rrezikojnë të shkatërrojnë thesare të tilla natyrore. Por shteti duhet të kishte vepruar më herët, me përgjegjësi dhe me një strategji që do të mbronte si natyrën, ashtu edhe njerëzit që jetojnë aty. Një mbikëqyrje e vazhdueshme e territorit nga autoritetet lokale, pse jo dhe një proces ligjor me mundësi për legalizim ose për përshtatje të ndërtimeve, do të kishte shmangur dramën që po ndodh sot në Theth.
Thethi ka nevojë për mbrojtje – por kjo mbrojtje duhet të jetë e vazhdueshme dhe e drejtë. Natyra dhe njerëzit që jetojnë në të janë të pandashëm. Dhe është detyra e institucioneve që të kujdesen për të dyja, pa i vënë përballë njëri-tjetrit.
Sot, Thethi është shndërruar në epiqendrën e një tensioni të panevojshëm, pasojë e një neglizhence shumëvjeçare dhe mungesës së ndërhyrjes në kohën e duhur. Mbrojtja e mjedisit dhe respektimi i ligjit janë detyra të përhershme të institucioneve shtetërore, të cilat duhet të veprojnë me koherencë, transparencë dhe ndjeshmëri ndaj komunitetit lokal. Vetëm përmes zbatimit të drejtë dhe në kohë të ligjit, mund të sigurohet ruajtja e pasurive natyrore dhe zhvillimi i qëndrueshëm i zonave të tilla të veçanta.