Kreu Art Kodi i veshjes: Pse nuset vishen me vello?

Kodi i veshjes: Pse nuset vishen me vello?

Një nga elementet më të vjetra të veshjes së nusërisë, që daton që nga Greqia e Lashtë, është përdorimi i vellos. Edhe sot, vello mbetet një aksesor i pandashëm i dasmave, përfshirë edhe nuset më moderne.

Këngëtarja Lily Allen, kur u martua me aktorin David Harbour në një ceremoni të thjeshtë në Las Vegas në vitin 2020, zgjodhi një fustan mini të stilit të viteve ’60 nga Dior, por sërish mbajti një vello tradicionale. Edhe këngëtarja Gwen Stefani, e cila në dasmën e saj në 2002 zgjodhi një fustan të bardhë me nuanca rozë nga Dior, nuk e la mënjanë vellon që e plotësonte pamjen e saj të veçantë.

Më së fundmi, Lauren Sánchez Bezos u bë nusja e radhës e njohur që veshi një vello spektakolare gjatë dasmës së saj luksoze në Venecia. Sipas revistës Vogue, pas provës së fundit të fustanit të personalizuar “Dolce & Gabbana”, stilistёt i vendosën asaj vellon prej dantelle mbi kokë “si një kurorë”.

Një histori e gjatë dhe e mbuluar

Në vitin 1840, Mbretëresha Viktoria theu protokollet e kohës duke u martuar me Princ Albertin me një fustan mëndafshi të bardhë dhe një vello delikate. Për atë ditë, ajo nuk ishte monarkja, por një nuse e dashuruar që zgjodhi bardhësinë për të simbolizuar pastërtinë. Edhe pse shumë aspekte të modës së nusërisë që ajo vendosi atë ditë janë përditësuar me kalimin e kohës, velloja mbetet elementi që ka rezistuar më shumë.

Sot, fustanet e nusërisë janë më të shkurtra, shumë nuse zgjedhin pantallona ose fustane me ngjyra – si aktorja Mandy Moore, e cila në vitin 2018 zgjodhi një fustan ngjyrë trëndafili – por shumë prej tyre ende mbajnë vello, ndonjëherë më të mëdha dhe më dramatike se vetë fustani.

Në vitin 2018, aktorja Priyanka Chopra u martua me një fustan Ralph Lauren dhe një vello prej 23 metrash. Po ashtu, Hailey Bieber zgjodhi një vello të madhe nga Off-White me mbishkrimin “Deri sa vdekja të na ndajë”.

Vellot kthehen në modë

Dikur, vellot madhështore përdoreshin vetëm në dasma mbretërore. Në vitin 1981, Princesha Diana veshi vellon më të gjatë në historinë e familjes mbretërore britanike, 7.6 metra e gjatë, e zbukuruar me 10,000 perla të vogla. Edhe Meghan Markle, Dukesha e Sussex-it, në vitin 2018 veshi një vello 5 metra të gjatë, të qëndisur me lulet e vendeve të Commonwealth-it.

Sot, vellot kanë kaluar edhe në modën e përditshme dhe pasarelë. Në Javën e Modës në Paris, Vivienne Westwood shfaqi modele me vello të zeza dhe të bardha. Në Londër, stilisti turk Bora Aksu paraqiti vello në nuanca të kuqe dhe rozë. Edhe në tapetin e kuq të çmimeve Grammy, këngëtarja Gracie Abrams kishte veshur një vello Chanel.

Historikisht, në kulturën perëndimore, vellot ishin një luks i të pasurve, shpesh të punuara me dorë në dantellë të çmuar që kërkonte muaj, madje vite për t’u prodhuar. Me ardhjen e industrializimit, dantella u bë më e përballueshme dhe velloja u bë modë për të gjithë.

Nga rregullat tek liria e zgjedhjes

Në të kaluarën, martesa e dytë kërkonte që nusja të vishej më thjeshtë, zakon që u zbeh vetëm në vitet ’80. Një shembull i shkëlqyer ishte Angelina Jolie në vitin 2014, e cila u martua me Brad Pitt me një fustan klasik Versace dhe një vello të qëndisur me vizatime nga fëmijët e tyre.

Sipas Kimberly Chrisman-Campbell, autore e librit “The Way We Wed: A Global History of Wedding Fashion”, ky personalizim tregon një epokë të re të martesës progresive, ku shpesh dasmat simbolizojnë bashkimin jo vetëm të dy njerëzve, por të dy familjeve.

Pёrshtatur nё shqip nga CNN, Leah Dolan, https://edition.cnn.com/2025/06/30/style/dress-codes-why-do-brides-wear-veils