Një nga gjigantët më të mëdhenj të shitjes me pakicë në Europë, Lidl, ka zyrtarizuar planet për të hyrë në tregun shqiptar, duke sjellë me vete një investim të rëndësishëm që pritet të ndikojë ndjeshëm në ekonominë vendase dhe në përvojën e konsumatorëve shqiptarë.
Themeluar në Gjermani dhe pjesë e grupit ndërkombëtar Schwarz Group, Lidl ka filluar të zgjerohet globalisht që nga vitet 1990. Sot, kompania numëron mbi 12,200 dyqane në 31 vende dhe më shumë se 376,000 punonjës në të gjithë botën, duke u pozicionuar si një nga liderët e industrisë së shitjes me pakicë në Evropë dhe më gjerë.
Hapat ligjorë dhe vendimi i KIS për investimin e Lidl në Shqipëri
Për të mundësuar këtë investim të rëndësishëm, Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), miratoi në prill 2025 dhënien e statusit “Investim Strategjik Procedurë e Veçantë” për projektin “Lidl – Shqipëria Qendër Logjistike”.
Investimi parashikon ndërtimin e një qendre logjistike moderne në zonën e Porto Romanos, Durrës, në një sipërfaqe prej 200,000 m², me një vlerë mbi 105 milionë euro.
Vendimi i KIS përcakton edhe një sërë masash mbështetëse për investimin, përfshirë akses në infrastrukturë, asistencë për marrjen e lejeve dhe përshpejtimin e procedurave, duke siguruar kështu një klimë të favorshme për zhvillimin e projektit.
Vendet e para të punës
Lëvizje konkrete kanë filluar: disa agjenci të njohura punësimi kanë shpallur pozicionet e para të punës për operacionet e Lidl në Shqipëri, duke sinjalizuar afrimin e hapave të parë drejt ndërtimit të qendrës logjistike dhe hapjes së dyqaneve të para.
Çfarë do të sjellë Lidl për Shqipërinë?
Pritet që hyrja e Lidl të ketë një impakt pozitiv në ekonominë lokale, duke sjellë vende të reja pune, duke krijuar mundësi për prodhuesit dhe furnizuesit shqiptarë dhe duke nxitur konkurrencën në tregun e shitjes me pakicë.
Një konkurrencë më e fortë mund të përkthehet në produkte më cilësore dhe çmime më të favorshme për konsumatorin shqiptar.
Lidl ka identifikuar Shqipërinë si një treg me potencial të madh për rritje dhe zhvillim, dhe ky hap shënon një kapitull të ri që pritet të sjellë përfitime të ndjeshme për ekonominë dhe konsumatorin vendas.
Ajo që ka më shumë rëndësi për qytetarët shqiptarë është që me ardhjen e Lidl, nëse do të ruhet i njëjti standard cilësie dhe çmimi si në vendet e tjera ku kompania operon, konsumatorët shqiptarë do të kenë më në fund mundësinë të blejnë cilësinë, me çmime të arsyeshme.
Në fund të ditës, çdo familje shqiptare meriton të ketë mundësinë të zgjedhë më mirë, të blejë më lirë dhe të ushqehet më shëndetshëm.