Europa Jugore po përballet me një valë të ashpër të të nxehtit, me temperatura që tejkalojnë 40 gradë Celsius në disa shtete si Italia, Spanja dhe Greqia. Autoritetet lokale kanë dhënë paralajmërime të reja për rrezikun e zjarreve në pyje, ndërsa vala përvëluese vijon të intensifikohet.
Ekspertët e lidhin rritjen e shpeshtësisë dhe intensitetit të këtyre valëve të të nxehtit me ndryshimet klimatike, duke paralajmëruar se ngjarje të tilla ekstreme po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në rajonin jugor të kontinentit.
Italia, Greqia, Spanja dhe Portugalia regjistruan temperatura ekstreme para fundjavës, me banorë dhe turistë që kërkonin strehë nga nxehtësia përvëluese. Rreth dy të tretat e Portugalisë ishin në gjendje alarmi të dielën për shkak të rrezikut të madh nga zjarret dhe temperaturat ekstreme, ku në Lisbonë pritej që termometri të shkonte mbi 42°C.
Në Itali, disa rajone si Lazio, Toscana, Kalabria, Pulia dhe Umbria kishin në plan të ndalonin aktivitetet e punës jashtë gjatë orëve më të nxehta të ditës. Sindikatat italiane po kërkojnë nga qeveria që këto masa të zbatohen në nivel kombëtar.
Ministria italiane e Shëndetësisë vendosi alarmin më të lartë të nxehtësisë në 21 nga 27 qytetet e monitoruara, përfshirë destinacione turistike të njohura si Roma, Milano dhe Napoli.
Në kryeqytetin italian, turistët kërkonin hije pranë Koloseut dhe Shatërvanit të Trevit, duke përdorur çadra dielli dhe duke pirë ujë nga burimet publike për të qëndruar të freskët. Pamje të ngjashme u raportuan edhe në Milano dhe Napoli, ku shitësit ambulantë ofronin limonadë për të zbutur vapën.
Në Greqi, autoritetet ishin në gatishmëri të lartë për zjarre, ndërsa vala e parë e të nxehtit për këtë verë pritet të zgjasë gjatë fundjavës. Një zjarr i madh shpërtheu në jug të Athinës të enjten, duke detyruar evakuime dhe mbyllje rrugësh pranë Tempullit antik të Poseidonit. Erërat e forta përhapën flakët, duke dëmtuar shtëpi dhe përhapur tym në qiell. 130 zjarrfikës, 12 avionë dhe 12 helikopterë u angazhuan në përballimin e flakëve, ndërsa policia evakuoi 40 persona.
Edhe në Spanjë, banorët dhe turistët përpiqeshin të përballonin temperaturat që në Sevilje dhe në qytete të tjera të jugut dhe qendrës arrinin deri në 42°C. Rajonet jugore regjistruan temperatura mbi mesataren sezonale, duke bërë që autoritetet të nxjerrin paralajmërime shëndetësore dhe këshilla për sigurinë. Shërbimi meteorologjik kombëtar Aemet bëri të ditur se qershori pritet të jetë më i nxehti që nga fillimi i regjistrimeve zyrtare.
Ekspertët theksojnë se temperaturat ekstreme ndikojnë ndjeshëm në jetën e përditshme, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët. Autoritetet këshilluan shmangien e aktiviteteve fizike gjatë orëve më të nxehta dhe rekomanduan konsumimin e lëngjeve në sasi të mëdha.
Një studim i publikuar nga revista The Lancet Public Health vitin e kaluar paralajmëronte për rritjen e rrezikut të vdekjeve të lidhura me të nxehtin për shkak të ndryshimeve klimatike. Sipas studimit, nëse politikat aktuale nuk ndryshojnë, deri në mes të këtij shekulli numri i viktimave nga të nxehtit mund të katërfishohet.
Edhe pse më shumë njerëz vdesin nga i ftohti sesa nga të nxehtit, studimi nënvizon se rritja e temperaturave do të përmbysë përfitimet e dimrave më të butë, duke sjellë një rritje të konsiderueshme të vdekshmërisë për shkak të të nxehtit.
Përshtatur nga CNN.