Kreu Drejtësi Fillon me shtyrje gjyqi ndaj ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha

Fillon me shtyrje gjyqi ndaj ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha

Në orën 10:00 të ditës së sotme, në Gjykatën e Posaçme të Tiranës, pritej me interes të madh mediatik, fillimi i gjyqit ndaj ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili sot është kryetari i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht edhe kreu i opozitës së bashkuar shqiptare.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, akuzohet nga SPAK (Prokuroria e Posaçme) për korrupsion pasiv dhe si pasojë i është ndaluar të udhëtojë jashtë vendit.

Berisha bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, akuzohen për korrupsion gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”. Prokuria e Posaçme Antikorrupsion ka marrë një kallëzim në vitin 2020 nga Taulant Balla, drejtues i Partisë Socialiste në pushtet, në të cilin pretendohej se “sipas të dhënave të Agjencisë së Pronave, toka e ish-kompleksit sportiv ‘Partizani’ i është kaluar shtetit familjes së dhëndrit të ish-kryeministrit Berisha nëpërmjet vendimeve korruptive të qeverisë.

Në të njëjtën kohë, ish-kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij, përfshirë edhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, janë shpallur persona të padëshiruar (non grata) nga Shtetet e Bashkuara, nën dyshimet se janë të përfshirë në korrupsion të lartë dhe cenim të demokracisë.

Pas një kalvari të gjatë hetimesh dhe paraqitjesh në Prokurorinë e Posaçme, ish-kryeministri Berisha do gjykohet nën akuza përballë gjykatës. Por Berisha nuk u paraqit në seancën e sotme.

Sipas prokurorit akuzues Arben Kraja, ai nuk ishte njoftuar zyrtarisht, pasi njoftimi i është dorëzuar Jamarbër Malltezit, i cili kishte marrë përsipër të informonte Berishën, por deklaroi se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë.

Seanca e radhës u caktua të zhvillohet më 21 korrik 2025.

Gjyqi ndaj Sali Berishës dhe bashkëpunëtorëve të tij, ka gjasa të fillojë në vjeshtën e këtij viti, pasi një anomali tjetër është vërejtur ditën e sotme. Elsa Ulliri, kryetare e trupës së gjykimit, ka dorëzuar një kërkesë për dorëheqje nga procesi me pretendimin se është në kushte papajtueshmërie me të pandehurin. Sipas të dhënave të konfirmuara, gjyqtarja ka shënuar në kërkesën e saj se “nuk mundet të gjykojë ish-familjarë të kreut të opozitës dhe vetë atë, pasi është kushërirë me deputeten e Partisë Demokratike, Andia Ulliri, e cila është vartëse partie e të akuzuarit kryesor, Sali Berisha.”

Gjykata e Posaçme pritet të marrë vendim për të dyja “anomalitë” e sotme tre javë më pas.