Durrës, 29 Qershor 2025 – Në një nga ditët më të nxehta të sezonit, kur turistët kanë mbushur çdo cep të vijës bregdetare dhe çdo hotel në zonën e plazhit është i rezervuar prej muajsh, një zjarr i furishëm ka përfshirë tregun ambulant në qendër të plazhit të Durrësit – pikërisht aty ku qyteti përplaset me realitetin e vet më të vjetër: llamarinat e mbetura si kujtim i një hapësire që ndërtuesit nuk kanë arritur ta zaptojnë dot për hotele.
Sipas raportimeve të para, zjarri është përhapur me shpejtësi duke përfshirë të paktën 10 njësi tregtare, ndërsa katër mjete zjarrfikëse janë në terren, duke u përballur me flakët e fuqishme dhe erën që e bën ndërhyrjen të vështirë.
Tregtarët, në panik, po përpiqen të shpëtojnë mallrat e mbetura – për ta, kjo periudhë përfaqëson kulmin e fitimeve në një vit të tërë pune.
Zjarri vjen në një moment kur qyteti është mbushur më shumë se kurrë me turistë të huaj, që enden përgjatë një rruge kryesore të rikonstruktuar disa herë, ama të lënë si “rrugë me një kalim”, aq e ngushtë sa edhe vetë zjarrfikësit kanë hasur vështirësi për të mbërritur në vendngjarje.
Ndërkohë që pjesa më e madhe e infrastrukturës hoteliere dhe shërbimeve është transformuar në vitet e fundit, tregu i vjetër ka mbetur jashtë këtij zhvillimi, i ruajtur thuajse me dhunë nga shitësit ambulantë. Sot, ai po digjet në sytë e pushuesve.
Flakët nuk po djegin vetëm llamarinat, por edhe shpresat e vogla të atyre që prej dekadash mbajnë familjet me shitje sezonale. Dhe njëkohësisht, po vendosin një njollë të zezë në syrin e çdo turisti që ka zgjedhur Durrësin si destinacionin e tij të verës.
Nëse zjarrin e shkaktoi pakujdesia, një shkëndijë elektrike apo, diçka tjetër– kjo do të duhet të hetohet.
