Shqipëria mbetet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për mbrojtjen në NATO, sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Al Jazeera në bazë të statistikave të NATO-s dhe Reuters.
Grafiku tregon se në vitin 2024, Shqipëria shpenzoi më pak se 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen – shumë më pak se objektivi i ri i NATO-s, i cili kërkon që vendet anëtare të arrijnë nivelin 5% të PBB-së në shpenzime ushtarake.
Në kontrast me vendet e Evropës Lindore si Polonia, Estonia dhe Letonia, të cilat kanë rritur ndjeshëm investimet në sektorin e mbrojtjes pas agresionit rus në Ukrainë, Shqipëria ka ruajtur një rritje të kufizuar në këtë fushë gjatë dekadës së fundit.
Ky realitet ngre pikëpyetje për gatishmërinë e vendit për të përmbushur angazhimet brenda Aleancës dhe për të përballuar sfidat e reja të sigurisë në rajon.
NATO e ka përcaktuar më parë pragun 2% si minimum për shpenzimet ushtarake, por zhvillimet gjeopolitike të viteve të fundit kanë shtyrë aleatët të kërkojnë më shumë investim në mbrojtje. Nuk dihet ende nëse Shqipëria, si vend anëtar, do të rishikojë prioritetet buxhetore në funksion të këtij objektivi të ri.
Më poshtë grafiku krahasues i shpenzimeve të NATO-s në vitin 2014 dhe 2024, ku Shqipëria renditet ndër vendet me përparimin më të vogël:
