Kreu Drejtësi Nga auditorët në SPAK – një universitet në hetim. Rast Unik në...

Nga auditorët në SPAK – një universitet në hetim. Rast Unik në Botë!

Një skandal që s’ka të krahasuar as në arenën ndërkombëtare ka shpërthyer në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), ku 28 zyrtarë dhe punonjës janë marrë të pandehur nga SPAK, në një hetim masiv për abuzime me tendera dhe shkelje të rënda të ligjit.

Universiteti deklaron rreth 600 punonjës, që do të thotë se gati 5% e gjithë trupës së punës ndodhet nën akuzë – një përqindje alarmante për një institucion arsimor dhe kërkimor, që në çdo vend tjetër të botës do të konsiderohej rast ekstrem dhe i paprecedentë.

Në listën e të pandehurve figurojnë emra të rëndësishëm të universitetit: Edmond Tërthorja, Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto, Piro Zoga, Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Ilir Kapaj, Erjola Kopali, Klea Lekocaj, Etleva Shore, Rezearta Dervishi, Romina Koto dhe Bejgo Bizha – të akuzuar për vepra si shkelje e barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Disa prej tyre janë arrestuar me burg, ndërsa të tjerët janë lënë në arrest shtëpie apo me detyrim paraqitjeje.

UBT është një nga institucionet publike më të vjetra dhe më të mëdha të arsimit të lartë në Shqipëri, me 5 fakultete, 1 institut kërkimor, rreth 6,000 studentë dhe 45 programe studimi të akredituara.

Ky hetim masiv po trondit themelet e një universiteti të tërë – dhe shënon një precedent që mund të mbetet unik jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.