Kreu Newsbuf Kartat e identitetit dhe cunami Iute Albania

Kartat e identitetit dhe cunami Iute Albania

Prej dy ditësh, mediat raportojnë një rast mashtrimi në Lezhë. Një grua 33-vjeçare, Donika Curri, është arrestuar pasi dyshohet se ka mashtruar disa gra në nevojë, duke u marrë foton e kartës së identitetit me pretekstin e një ndihme sociale, dhe më pas ka aplikuar për mikrokredi në emër të tyre, duke përvetësuar fondet për vete.

Pothuajse të gjitha mediat, me përjashtime të rralla, kanë ndjekur verbërisht deklaratën e ftohtë të Drejtorisё sё Policisë Lezhë. Në shumicën e raportimeve, emri i të arrestuarës është fshirë pas inicialeve dhe asnjë përpjekje nuk është bërë për të zbuluar identitetin e vërtetë të saj, të institucionit apo institucioneve ku janë marrë kreditë, apo për të trajtuar thelbin real të problemit.

Vetëm disa portale si JOQ dhe Dosja.al, përtej njoftimit standard, guxuan të bëjnë gazetari.

Zbuluan emrin e të arrestuarës. Madje, JOQ publikoi foton e saj bashkё me dëshmi nga gratë e mashtruara, të cilat rrëfyen qartë se kredia ishte marrë në një prej institucioneve më të përfolura për mikrokredi në Shqipëri: Iute Albania.

Emri i Iute-s – ndonëse thelbësor për të kuptuar seriozitetin e rastit – është shmangur nga pjesa më e madhe e raportimeve. Një “harresë” e çuditshme për një bankë mikrokredish që jo vetëm është akuzuar vazhdimisht për norma abuzive interesi dhe mungesë transparence, por që gëzon edhe mbështetjen e shumё mediave nё Shqipёri, të cilat e promovojnë “inovacionin” e kreditimit në 7 minuta, nga telefoni.

Por pyetjet janë më shumë se ç’duket në sipërfaqe…

Si është e mundur të merret kredi pa u paraqitur fizikisht? A mjafton një foto e kartës së identitetit për të marrë para kredie? Nëse jo, atëherë skema nuk ka funksionuar pa bashkëpunim nga brenda. A mund të besohet se askush në Iute Albania nuk kishte dijeni se po përpunonte dhjetëra aplikime në emër të grave të varfra, me të njëjtën dorë që i dorëzonte dokumentet?

Dhe nëse nuk ka pasur bashkëpunim të drejtpërdrejtë, atëherë kemi një sistem që funksionon si bombë me sahat – një platformë që lejon përvetësimin e identitetit dhe borxhit me lehtësi alarmante. Një aplikacion që në emër të “lehtësimit të shërbimeve” mund të varfërojë më shumë të varfrit.

Ky nuk është vetëm një rast mashtrimi individual. Është një pasqyrë e zymtë e një tregu mikrokredie pa kontroll dhe pa mbrojtje. Në një vend me mungesё tё kulturёs high-tech ku ende shumica e zakonshme, nuk e dinë akoma fuqinё e një smartphone, ata po shtyhen drejt teknologjive inovative që më shumë i fusin nё rrugёn e zhvatjes, sesa tё mbarimit tё njё nevoje tё shpejtё pёr tё siguruar para.

Në Shqipëri, kartat e identitetit janë të shpërndara në duar të panumërta – në banka, në kompani celulare, në kompani interneti, në dyert e institucioneve publike e private. Kopje tё tyre lihen nёpёr sportele sa herë hapet një llogari, blihet një pajisje me këste apo kërkohet një shërbim bazë. Askush nuk e pyet veten: ku përfundojnë kartat, të dhënat e tyre? Kush i mbron ato?

Nё Shqipёri, siguria e të dhënave personale është më shumë një formalitet në letra, sesa një realitet në praktikë. Shqipëria ende nuk ka një sistem të vërtetë kontrolli mbi mënyrën se si përpunohen dhe ruhen informacionet sensitive të qytetarëve tё saj. Dhe në mungesë të këtij kontrolli, çdo kartë identiteti e fotokopjuar, çdo formular i lënë në një zyrë, mund të kthehet në një rast, si ky i fundit nё Lezhё dhe jo vetёm.

“Kartambledhёsja” e Lezhës nuk është një përjashtim, por një sinjal alarmi për një sistem të tërë që po funksionon mbi shkeljen e dinjitetit dhe sigurisë së individit.

Me kartёn identifikuese nё duart e tregut tё zi, nesёr secilit mund t’i kërkohet të shlyeje një kredi që nuk e ka marrë kurrë. Kjo kёrkesё nuk ёshtё e panjohur nё Shqipёri. Në një kohë kur shumica dёrrmuese mezi paguan faturat mujore të jetesës. Në një sistem që ua vështirëson çdo ditë të drejtën për të mbijetuar me dinjitet qytetarёve e fshatarёve tё vet, atyre do t’ju duhet të trokasin derё mё derё, institucion mё institucion, pёr tё provuar “pafajësinë” për diçka që nuk e kanё bërë. Pёr njё kredi qё nuk e kanё marrё.

Kjo është ajo që po ndodh sot. Sistemi smart: “ma jep kartёn – mbaro punё shpejt”, nuk ka rrezik vetёm tё krijojё lajme policore si ai i Lezhёs, me emёrtesёn “Kredia”.

Me shumё gjasa “dallga” e Lezhёs, ёshtё paralajmёrim i njё cunami nё zhvillim.  Iute Albania mund tё jetё shkaktarja e valёve tektonike, tё atyre qё nёse afrohen, nuk shkatёrrojnё vetёm shtёpi.