Kreu Rreth Globit Jam në veri të Gazës. Më mirë të vuaj nga uria sesa...

Jam në veri të Gazës. Më mirë të vuaj nga uria sesa të pranoj ndihmën e GHF-së

Sado e uritur tё jem, nuk do kërkoj ndihmë të mbështjellë me gjak dhe poshtërim.

Nga Eman Hillis

Kanë kaluar dy muaj që kur kam ngrënë bukë për herë të fundit. Ushqimi në tregje ka nisur të zhduket që prej 2 marsit, kur Izraeli bllokoi pothuajse çdo ndihmë për në Gaza. Pas këtij bllokimi, çmimet e ushqimeve u rritën në mënyrë marramendëse. Sheqeri dhe mielli u zhdukën, frutat dhe perimet u bënë pothuajse të pamundura për t’u gjetur, dhe e vetmja gjë që mbeti në treg ishin thjerrëzat e kuqe.

Ndryshe nga shumë të tjerë që grumbulluan ushqime gjatë armëpushimit të janarit, nga frika e një vale tjetër urie, familja ime dhe unë morëm një vendim të rrezikshëm – të mos ruajmë asgjë. Më parë kishim grumbulluar, por humbëm gjithçka kur ushtarët izraelitë arritën në zonën tonë me tanke.

Në momente të tilla, nuk mendon për ushqimin. Harron stomakun bosh dhe trupin e kёputur. Thjesht numëron njerëzit e tu të dashur, sigurohesh që numri përputhet me atë që ke memorizuar, dhe ia mbath.

Ndërsa ne morëm këtë vendim me vetёdije tё plotё, shumë të tjerë nuk kishin asnjë zgjedhje – përfshirë katër familjet nga lagjja Shujaiyya që tani strehohen në shtëpinë tonë. Ata qё fitonin bukёn e gojёs në këto familje e humbën burimin e të ardhurave për shkak të luftës: një shofer taksie, makina e të cilit u bombardua; një bashkëpronar i një punishteje prodhimi plastike që u shkatërrua; një elektricist që rrallë punon që kur Izraeli ndërpreu energjinë elektrike; dhe një shitës ushqimesh që nuk i ka mbetur më asgjë për të shitur.

Të gjitha familjet që strehohen tani në shtëpinë tonë, përfshirë timen, po mbijetojnë pothuajse tërësisht me thjerrëza të kuqe – vetëm ujë, thjerrëza dhe kripë, pa asgjë tjetër. Kryesisht e pimë me lugë. Rrallë mund të zhysim ndonjë copë buke për t’u ndjerë më të ngopur, pasi çmimet e miellit janë rritur vazhdimisht gjatë dy muajve të fundit, duke arritur nga 60 deri në 100 shekelë për kilogram (rreth 7.72 – 14.31 dollarë për kilogram), duke e bërë edhe ushqimin më të thjeshtë të paarritshëm.

Me kalimin e ditёve, kemi shtuar një folje të re në fjalorin arab: ta’ddaset, që përafërsisht përkthehet “jam thjerrëzuar” – domethënë që ke përmbushur njërën nga dy misionet ditore: të hash supë me thjerrëza.

Në fund të majit, nisi të qarkullonte gjerësisht lajmi për një nismë të mbështetur nga SHBA, quajtur Ndihma Ushqimore Humanitare për Gazën (GHF). Përdorues të rrjeteve sociale pretendonin se çdo familje do të merrte një sasi mielli, sheqeri, biskotash dhe ushqime të konservuara – mjaftueshëm për një javë.

Raportet tregonin se qendrat e shpërndarjes së GHF-së do të ishin të hapura vetëm në tri pika në Rafah, përgjatë korridorit ushtarak izraelit Morag. Më vonë, u tha se do të hapej edhe një pikë përgjatë Korridorit Netzarim, që ndan Gazën pёrgjysmё. Ky ishte sinjali i parë i alarmit: pse duhet që njerëzit që po vdesin nga uria të detyrohen të shkojnë në zona lufte për të marrë ushqim? Dhe pse të gjitha qendrat ishin në pjesën jugore të Rripit?

Dyshimet e mia rreth GHF-së u thelluan më tej, ndërsa nisën të dalin hetime mbi këtë fondacion. Izraeli mohoi se e financon GHF-në. Por burime nga qeveria amerikane deklaruan se iniciativa buron nga i njëjti shtet që ka përdorur ushqimin si armë – në mënyrë të përsëritur: Izraeli.

Por, të paktën për një moment të shkurtër, mungesa e ushqimit më bëri të mendoj seriozisht për të shkuar te GHF. Për njerëz si unë, që jetojmë në veri të Gazës, pritja që pika e Netzarim-it të niste funksionimin dukej si e vetmja mundësi reale. Megjithatë, të shkoje drejt një zone që më parë kishte qenë fushë vrasjeje për ushtrinë izraelite ishte thjesht e frikshme.

Ndërkohë që prisnim, pikat e shpërndarjes në Rafah nisën të funksiononin. Pamjet nga dita e parë, më 27 maj, ishin tronditëse. Disa palestinezë u zhdukën; tre u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj turmës. Disa justifikuan se aq pak zjarr ishte i nevojshëm për ruajtjen e rendit, por masakrat që pasuan – ku janë vrarë më shumë se 300 njerëz – nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë.

Ushtria izraelite i ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme këto masakra, duke i cilësuar si “pretendime të ekzagjeruara” dhe duke ia hedhur fajin Hamasit, përmes videove manipuluese. Por për ne, njerëzit në Gaza, është e lehtë të kuptojmё të vërtetën.

Një i mbijetuar i masakrës së të martës në pikën e shpërndarjes së GHF-së në Rafah më tregoi se pak pasi kishte ardhur ora e shpërndarjes, ushtarët izraelitë ishin pranë rrugës për te vendi, “duke gjuajtur njerëzit sikur të ishin rosa”.

Një person që kishte kërkuar ndihmë në jug të Gazës më tregoi se kishte parë banda hajdutësh palestinezë brenda pikës së shpërndarjes, të cilët, sipas tij, dukeshin se “punonin krah për krah me punonjësit e GHF-së” për të krijuar një zonë mbrojtёse mes turmës që shtyhej dhe stafit amerikan.

Kur më në fund u bë funksionale pika e shpërndarjes në Netzarim, u përballëm me dy zgjedhje të vёshtira: të rrezikonim jetën për të shkuar, apo të vazhdonim të duronim mungesën gjithnjë e më të rëndë të ushqimit. E morëm në konsideratë të parën. Të vriteshe nga një plumb dukej më mëshiruese se të vdisje ngadalë nga uria.

Fillimisht, burrat e familjes sime ishin gati të shkonin. Por dëshmitë e atyre që tashmë kishin qenë atje na bënë të ndryshonim mendje.

Mohammed Nasser, i cili shkoi në pikën e shpërndarjes së GHF-së në Netzarim më 14 qershor – ditën kur u vranë 59 persona pranë vendit të ndihmës – më tregoi se shumica e të pranishmëve ishin banda grabitësish, të armatosur me pistoleta dhe thika, që plaçkisnin ndihmat nga njerëzit e zakonshëm. “Po të shihnin se kishe qoftё një hurmë në dorë, ta grabisnin.”

Nasser shtoi se kishte ndjesinë sikur ushtarët izraelitë po vinin bast për të parë kush do të vriste apo plagoste më shumë njerëz. Ai tha se punonjësit e GHF-së përdorën gaz lotsjellës dhe bomba zanore për të shpërndarë turmat vetëm gjysmë ore pasi kishte nisur procesi i shpërndarjes.

Punonjësit e GHF-së dhe trupat izraelite kanë mundësuar një sistem kaosi brenda pikave të shpërndarjes. Nuk ka sasi tё ndara qartë apo nё mёnyrё tё barabartë për secilin. Ata që janë të fortë dhe të armatosur marrin ç’të duan, duke grabitur hapur para syve të stafit.

Punonjësit e GHF-së, të përshkruar si “operatorë të stërvitur për kriza”, kanë të shkuara shqetësuese. Phil Reilly, drejtori ekzekutiv i Safe Reach Solutions (SRS), një kompani që ndihmon GHF-në, ka qenë zëvendëspresident i lartë në një kompani amerikane që kreu një masakër në Irak në vitin 2007.

Fondacioni mbështetet gjithashtu nga një tjetër kompani, e njohur publikisht si UG Solutions. Gjatë armëpushimit të janarit, UG rekrutoi mercenarë amerikanë me pagesa ditore që nisnin nga 1,100 dollarë për të inspektuar automjete në pikën e kontrollit në Netzarim.

Të shkosh në një pikë të GHF-së për të marrë ndihmë do të thotë të hysh në një operacion të dyshimtë, të vendosur në zona ushtarake, të rrethuar nga ushtarë të armatosur, vetëm për të gjetur vendin e pushtuar nga banda kriminale që, me shumë gjasë, do të të vjedhin edhe atë pak që mund të marrësh.

Monotonia e thjerrëzave të kuqe dhe mungesa e ushqimeve të tjera nuk na kanë shtyrë të kërkojmë ndihmë të mbështjellë me gjak dhe poshtërim.

Përshtatur në shqip nga Bufiim.com
Burimi origjinal: “I’m in northern Gaza. I would rather starve than take GHF aid”, nga Eman Hillis, publikuar në Al Jazeera më 25 qershor 2025. Lexo artikullin origjinal: https://www.aljazeera.com/opinions/2025/6/25/im-in-northern-gaza-i-would-rather-starve-than-take-ghf-aid