SHBA sulmon Iranin – Bombardohen tre baza bërthamore
Në orët e vona të së shtunës, Presidenti Donald Trump ka urdhëruar të fillojë një sulm ajror i koordinuar ndaj tre impianteve bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Esfahan.
Trump, përmes rrjetit të tij social Truth, deklaroi sulmin ndaj Iranit, bashkë me një fjalim të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë. Ai deklaroi se tre objektet bërthamore iraniane janë “fshirë nga faqja e dheut”.
Baza iraniane në Fordow, e njohur si “mali bërthamor”, është goditur nga avionët e padukshëm B-2 të Forcave Ajrore Amerikane me bomba GBU-57 “Massive Ordnance Penetrator”, ndërkohë, ndaj bazave të Natanz dhe Esfahan ushtria amerikane ka përdorur raketa Tomahawk, të lëshuara nga nëndetëse. Trump falënderoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ushtrinë izraelite për bashkëpunimin, duke deklaruar se “kurrë më parë nuk është vepruar si një skuadër kaq e koordinuar”.
Nga ana tjetër, Irani reagoi në orët e para të mëngjesit me lëshimin e 30 raketave balistike drejt Izraelit, duke dëmtuar rëndë objekte banimi në Haifa dhe Tel Aviv. Ministri i jashtëm iranian ka lëshuar një paralajmërim për SHBA në lidhje me sulmin armiqësor, duke e konsideruar me “pasoja të përjetshme”. Garda Revolucionare iraniane, nga ana e saj, publikoi në platformën X njoftimin: “Tani ka nisur lufta”.
Bota u kap në befasi nga ky sulm, pasi të gjithë prisnin një zgjidhje diplomatike të konfliktit, ashtu si dhe deklaroi para dy ditësh Presidenti Trump, që i dha “dy javë kohë bisedimeve”.
Ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, deklaroi se “UK nuk mori pjesë në sulm”, duke i bërë thirrje palës iraniane për përmbajtje.
Kryeministri izraelit Netanjahu, lavdëroi në një fjalim të regjistruar, vendimin e Presidentit amerikan për të sulmuar Iranin, ndërkohë që Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi, ka shprehur shqetësimin ekstrem për situatën “e cila po eskalon duke rrezikuar jo vetëm Lindjen e Mesme, por të gjithë botën”.
Informacionet nga Lindja e Mesme japin të dhëna se Irani ka fshehur një sasi domethënëse prej 60 kg uranium të pasuruar në një vend të fshehtë dhe se goditja e tre bazave bërthamore nuk pengon planet e tij për të krijuar bombat atomike.
Ditët në vijim janë vendimtare për fatet e gjithë botës. A do sulmojë Irani bazat amerikane në Lindjen e Mesme? A do mbyllet Ngushtica e Hormuzit në mes të Oqeanit Indian dhe Gjirit të Omanit, duke shkaktuar tronditje botërore të çmimit të naftës? Çfarë do ndodhë?
Pyetja e tmerrshme mbetet pezull pa asnjë përgjigje: A ka gjasa të fillojë Lufta e III-të Botërore, apo ajo sapo filloi në mbrëmjen e 21 qershorit 2025?