Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte “guest” bashkë me shumë personazhe VIP në dasmën e Aleks Soros, djalit të miliarderit George Soros. Ishte ditë e shtunë, 14 qershor, kur në një nga pronat e familjes Soros në Water Mill të Nju Jorkut (USA) zbarkuan disa avionë privatë me dasmorë të pazakontë, për emrat, pasurinë dhe pushtetin që përfaqësojnë.
Një ditë para se dasmorët të mblidheshin në bahçen e bukur në Water Mill, Izraeli filloi Operacionin “Rising Lion” kundër Iranit, duke bombarduar me 200 avionë shtetin islamik dhe vrarë disa udhëheqës të rëndësishëm ushtarakë dhe shkencëtarë me profil bërthamor. Praktikisht, atdheu hebre i dhëndrit Aleksandër Soros, i shpalli luftë totale Iranit, kombit persian, aleatit të Pakistanit, nga ku ka gjysmë origjinën e saj, nusja e besimit mysliman, Huma Mahmood Abedin.
Aleks Soros u prezantua me kippah në kokë, kapelën e vogël rrethore që burrat ultra hebrenj ortodoksë e mbajnë brenda sinagogës ose në vende të shenjta, para rabinit Darren Levine, i cili e lidhi në martesë çiftin, sipas traditës së besimit hebre, por që respektoi edhe recitim nga vargje të Kuranit.
Të ftuar specialë në dasmë, ishte e gjithë skuadra Anti-Trump e Demokratëve: znj. Clinton bashkë me bashkëshortin, ish-Presidentin Bill Clinton; ish-nënpresidentja e USA, Kamala Harris; senatori Chuck Schumer dhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përveçse i ftuar, ishte mes personave që mbajtën një fjalim urimi për çiftin, me shprehje mbresëlënëse sipas përshtypjeve që dhanë më pas të pranishmit.
Festimet e kësaj dasme përkuan me një fundjavë jashtëzakonisht kaotike brenda dhe jashtë Amerikës dhe fillimit të një lufte të frikshme mes Iranit dhe Izraelit në Azinë Perëndimore.

Dasma luksoze “Soros”, me avionë privatë, makina dhe bizhuteri shumë të shtrenjta, erdhi në një kohë të trazuar për politikën amerikane, pas një shuplake që Partia Demokratike në USA mori nga votuesit e saj të klasës punëtore, të cilët mbështetën gjerësisht Donald Trump, i cili është zgjedhur President i USA dhe mik pasionant i Izraelit, kombit të Aleksandër dhe George Soros.
Aleks Soros, 39 vjeç, u martua me Huma Abedin, 49 vjeç, duke pasur një pasuri neto që vlerësohet të jetë rreth 6.7 miliardë dollarë dhe që pritet të trashëgojë një pasuri prej 25 miliardë dollarësh të ndërtuar nga babai i tij, 94-vjeçari George Soros.
GDP-ja e Shqipërisë për vitin 2025 është vlerësuar të jetë rreth 63 miliardë dollarë, pak më shumë sesa dyfishi i pasurisë së babait George dhe të birit, Aleks Soros.
Por Shqipëria si shtet, ishte më e varfër se dasmorët e llogaritur së bashku, megjithatë e pranishme me kryeministrin e saj, në bahçen e familjes Soros – atje ku nuk mund të shkelë kurrë asnjë Trump.
Dasma ekstravagante është ngjarja më e përfolur e verës për elitën shoqërore amerikane dhe “shqiptare” – por vetëm për pak javë, sepse pritet që në Venecia së shpejti do organizohet një dasmë e një çifti tjetër të fuqishëm: Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez. A do jetë edhe në këtë martesë miliarderësh, Shqipëria e varfër?