Kreu Newsbuf Çfarë po ndodh? A do mbytemi nga plehrat e Sharrёs?

Çfarë po ndodh? A do mbytemi nga plehrat e Sharrёs?

Landfilli i Sharrёs është në kufijtë e kolapsit. Gazetari Juljan Hoxhaj ngriti sot alarmin: Tirana është përballë një emergjence mjedisore!

Në një dalje televizive, gazetari informoi: “Situata është bërë edhe më kritike që nga fillimi i vitit, sidomos në landfillin e Sharrёs, i cili tashmë ka arritur kapacitetin maksimal të depozitimit të mbetjeve. Këtë e ka konfirmuar zyrtarisht Agjencia e Pronave të Sekuestruara, që administron kompaninë koncesionare “Integrated Energy BV”, përgjegjëse për landfillin e Sharrёs dhe inceneratorin. Përballë këtij kolapsi, Agjencia u ka kërkuar bashkive që të gjejnë zgjidhje alternative. Sipas saj, alternativa është ndarja në burim dhe riciklimi i mbetjeve urbane – një praktikë që kërkon kohë, infrastrukturë dhe angazhim institucional.

Gazetari Hoxhaj shpjegoi se si është shkelur autonomia vendore bashkë me Kushtetutën, pasi u rrëmbyen kompetencat e këshillave bashkiakë. Ai citoi një vendim të qeverisë, ku mbetjet e të gjitha bashkive të qarkut të Tiranës – dhe jo vetëm – janë dërguar me detyrim në landfillin e Sharrёs, duke e kthyer atë në një pikë kritike të emergjencës mjedisore që po përshkallëzohet dita-ditës.

Në Tiranë, këto ditë të nxehta vere, po shihet një kaos i madh në vendqëndrimet e plehrave. Plehrat po “lulёzojnë” në mesditë në çdo lagje të kryeqytetit, ku temperatura dhe mbetjet mund të krijojnë një formulë epidemie. Zhvendosja e mbeturinave në vendgrumbullime të paligjshme ka qenë një gangrenë që ka shoqëruar pushtetin vendor dhe atë qendror për vite të gjata.

Pyetja shqetësuese është: A është Tirana në një emergjencë mjedisore?