Kreu Art Shtëpia më e shtrenjtë në SHBA: Penthouse-i në majë të rrokaqiellit më...

Shtëpia më e shtrenjtë në SHBA: Penthouse-i në majë të rrokaqiellit më të hollë në botë del në shitje për 110 milionë dollar

"Suita mbretërore" ndodhet në katin e sipërm të pronës prej 110 milionë dollarësh. Hayes Davidson

Një penthouse spektakolar në zemër të Manhatanit, në rrokaqiellin më të hollë në botë, ka dalë në treg me një çmim marramendës prej 110 milionë dollarësh.

E quajtur “Crown Suite”, kjo rezidencë e jashtëzakonshme ndodhet në katin më të lartë të ndërtesës 111 West 57th Street, e njohur edhe si Steinway Tower, një ndër rrokaqiejt më të lartë dhe më të hollë në hemisferën perëndimore. Me një raport lartësi-gjerësi prej 24:1, kjo ndërtesë është kthyer në simbol të luksit të ri vertikal në qytetin që nuk fle kurrë.

Apartamenti përfshin katër kate, nga kati i 80-të deri në të 83-in, dhe ofron pamje mahnitëse 360 gradë mbi New York City, përfshirë Central Park-un, i cili duket si një oaz i gjelbër poshtë qiellgërvishtësit. Me një sipërfaqe të bollshme dhe një projektim të realizuar nga Studio Sofield, shtëpia ka gjithsej 5 dhoma gjumi, 6 banjo dhe 2 tarraca private.

Plani i brendshëm përfshin një “suitë për pritje dhe argëtim” në katin e parë, një “suitë kryesore” në katin e tretë, dhe kulmohet me “suitën mbretërore” – një hapësirë luksoze me bar privat dhe sallë kinemaje.

Steinway Tower u përfundua në vitin 2022 në vendin ku dikur ndodhej fabrika historike e pianove Steinway & Sons. E projektuar nga SHoP Architects dhe Studio Sofield, ndërtesa sjell frymën e Epokës së Artë të Nju Jorkut të shekullit XIX, duke kombinuar elegancën klasike me inxhinierinë më moderne të ditëve tona.

Fasada e saj është e veshur me blloqe terakote dhe ndriçimi i ditës e ndryshon pamjen e saj gjatë gjithë orëve, ndërsa brendësia shquhet për materialet luksoze si mermeri, guri gëlqeror, çeliku i zi dhe kadifja. Në hapësirat e përbashkëta, muret janë zbukuruar me vepra arti të Pablo Picasso-s dhe Henri Matisse-it, duke e ngritur përvojën e jetesës në një nivel muzeal.

Ndërtesa ofron gjithashtu një sërë shërbimesh të nivelit të lartë, si një pishinë 25 metra e gjatë, dhoma ngrënieje private dhe një tarracë e gjelbëruar për banorët.

Në botë ka shumë vende luksoze, por unë doja të krijoja një ndërtesë që nuk mund të ekzistojë askund tjetër përveçse në New York,” u shpreh themeluesi i Studio Sofield, William Sofield, për CNN.

Ky penthouse ndodhet në atë që njihet si Billionaire’s Row, një segment elitar ku rrokaqiejt e hollë dhe të gjatë kanë filluar të dominojnë horizontin e qytetit. Pikërisht aty ndodhet edhe apartamenti më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë në SHBA – një hapësirë prej 24,000 metrash katrorë në 220 Central Park South, e cila në vitin 2019 u shit për plot 238 milionë dollarë.

Shtëpia në majë të Steinway Tower nuk është vetëm një pronë – është një deklaratë për luksin, arkitekturën dhe ëndrrën amerikane në versionin e saj më të lartë.

Ky artikull është përshtatur nga një reportazh i publikuar fillimisht në CNN.