Sot është mbajtur seanca e parë plenare e Kuvendit pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Në sallën e Parlamentit, atmosfera ishte më shumë e ngjashme me një arenë përballjeje sesa me një sallë debati institucional. Deputetët e vjetër janë rikthyer në vende, por ndasitë politike janë më të thella se kurrë.
Partia Demokratike, e cila ka kontestuar ashpër rezultatin e zgjedhjeve, hyri në Kuvend me një mesazh të qartë: të ekspozojë, sipas tyre, farsën elektorale që ndodhi më 11 maj. Deputetët demokratë, në fjalimet e tyre të para, denoncuan shkelje masive, blerje votash dhe përdorim të administratës në favor të Partisë Socialiste. Ata paralajmëruan se nuk do të lejojnë që “të mbahet një fasadë demokracie” ndërsa “vota e qytetarëve është dhunuar”.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste duket se ka zgjedhur një tjetër linjë: vijimin e agjendës parlamentare sikur asgjë nuk ka ndodhur. Mazhoranca ka shmangur debatet mbi procesin zgjedhor, duke insistuar për kthimin në normalitet institucional dhe çuarjen përpara të axhendës legjislative.